Krizë për abonetë e urbanit në Berat




Yüklə 169.97 Kb.
səhifə4/4
tarix27.04.2016
ölçüsü169.97 Kb.
1   2   3   4

Fyelli i ballistit

Ishte mësues prej dia vitesh në atë fshat. Jepte mësimin e gjuhë-leximit në ciklin e lartë të shkollës tetëvjeçare të fshatit. Fshati ishte vendosur në një kodrinë të bute e ishte rreth dy orë larg. Mësues Ismaili dhe shumë kolegë të tij duhej të bënin dy herë në ditë kur vinin e kur mbaronin mësimin. Shteti nuk përgjigjej për transportin e mësuesve e nga njëherë kur në rrugën e fshatit vinte ndonjë makinë me derra, me misër të korrur, me gurë, me sherebel, me dru të ngarkuara, nga një pyll afër fshatit, për ta ishte një fat i lumtur që zgjaste shumë pak se, të nesërmen, bëhej po ai rit tokësor me këmbët e mësuesve.

Përballë këtyre vështirësive të panumërta, Ismaili kishte zgjedhur rrugën e poezisë. Kishte botuar edhe disa poezi në shtypin kombëtar që shokët i kishin pëlqyer. Ishin poezi për partizanët, për natyrën, për detin, për aksionet që në ato vite ishin të shumta…

Trishtimin e këtyre ditëve e ndante pak edhe me sytë ëndërrimtarë të fëmijëve që e donin shumë. Edhe pse vitet shkonin, ai vazhdonte të ishte një ëndërrimtar gati i pandreqshëm. Mbase ishte “ilaçi” i kohës. Apo edhe sëmundja që mund t’ia bënte më të zezë jetën e tij që ende nuk i kishte dhënë në flokë thinjat e para…

Një javë më pare kishte botuar te gazeta “Mësuesi” poezinë “Fyelli në muze”. Në atë kohë gazeta “Mësuesi” mbulonte edhe problemet e muzeve, edhe problemet e kulturës, prandaj edhe redaktorëve të gazetës mund t’i ketë pëlqyer kjo temë. Ishte një poezi me dy strofa ku flitej për një dëshmor me origjinë nga fshati. Kur ishte vrarë, familja ose të afërmit e tij i kishin dërguar fyellin në muze, në një vetrinë për ta parë fëmijët e shkollave e të gjithë të tjerët… Ishte një fabul e thjeshtë dhe e bukur. Ia kishte vënë emrin Laze. Kudo ku kishte shkuar Ismaili apo në ato që kishte lexuar, emri Laze i ishte dukur tipik shqiptar dhe e kishte ngacmuar për t’i vënë një emër të personazheve të tij poetikë.

… Atë ditë para se të fillonte mësimin, e takon korrieri i fshatit dhe e njofton se në orën 12 të drekës e kërkonin në zyrën e organizatës-bazë të partisë. Asnjë shkresë. Urdhëri, i padiskutueshëm në zbatimin e tij, i dhënë në gojën e korrierit, i kishte dhënë edhe atij para kohe përkëdheljen e një fitimtari në një betejë të pafilluar ende.

Në të gjitha orët e mësimit të asaj dite, sa herë që binte zilja për të filluar apo për të mbaruar, i dukej se dëgjonte një kambanë ndjellakeqe. Ç’kërkonin nga ai në këtë mbledhje? Ç’do t’i thoshin? Që në fjalët e korrierit ai parandjente diçka jo të mirë.

Porsa hyri në zyrë, mësues Ismailit i mbetën sytë tek një këmbë e thyer e tavolinës shumë të vjetër pa mbulesë që ishte kapur me një tel nga një dorë kaq e pakujdesshme. Të dukej se nga çasti në çast tavolina do të anohej e… do të thyhej. Përballë tij ishte Shefiti, kryetari i këshillit, Zani, sekretari i partisë dhe Zybejdeja, zëvendëssekretarja e partisë. Mbi tavolinë kishin hapur gazetën “Mësuesi” e pikërisht te faqja e katërt ku ishte faqja letrare me poezinë e tij.

“Mbase e kishin thirrur për ta falenderuar për poezinë”, mendoi një çast. Jo, jo asnjëherë nuk e kishin bërë një gjë të tillë… As kur kishte botuar në gazeta të tjera. Asnjëherë. Nga të tre vetëm sekretari i partisë kishte mbaruar shkollën e mesme natën, në një fshat tjetër aty pranë që shërbente edhe si qendër e koopertivës bujqësore. Zubejdeja e Shefiti kishin shkollën tetëvjeçare. Bile ata mburreshin se ishin nxënësit e shkollës së parë të fshatit të hapur në vititn 195.

- Ti ke botuar një poezi në këtë gazetë-, iu drejtua së pari sekretar Zani.

- Po,- tha me ngadalë mësues Ismaili.

- A e njeh ti Lazen që ke shkruar këtu e që na i paska rënë fyellit?- tha prapë Zani dhe ngriti gazetën në ajër si një copë letër të bërë gati për të ndezur zjarrin.

- Jo, nuk e njoh, - e vazhdoi përgjigjen mësuesi.

- A e di, more mësues i keq,- nisi kësaj radhe kryetar Shefit që po turfullonte se s’po i vinte radha për të folur,- a e di more se Lazja është ballisti më i keq i fshatit? Si mund të shkruash ti se ai ka patur një fyell e ka luftuar për popullin? Si? Ai ka qenë e mbetet armik i popullit kudo që ta fusë kokën.

Tavolina u godit njëherësh edhe nga Shefiti edhe nga Zani. Një lumë fjalësh nga më të zezat nisën të drejtoheshin nga mësuesi-poet që kishte mbaruar me nota të shkëlqyera Univerisitetin e Tiranës.

Mësuesi kishte dëgjuar diçka për këtë ballist e nuk e dinte emrin e tij të saktë. Në një nga klasat ku jepte mësim kishte edhe një nga fëmijët e tij që rrinte gjithmonë i veçuar nga të tjerët.

- Po unë nuk e kam patur fjalën për atë Laze …,- nisi të mbrohet thjesht mësuesi që dukej në ato çaste fajtori më i pafajshëm i botës.

Të gjitha çuditë ishin mbledhur aty që ai nuk po i shpjegonte dot. Të tre nuk e lexonin asnjehërë gazetën “Mësuesi”, në xhepat e tyre shikoje të nxjerrë nga lart me pamje nga koka e gazetës vetëm gazetën “Zëri i popullit “ që duhet ta bënin lexim të organizuar që në mëngjes pas fizkulturës. Kush ia kishte dhënë këtë gazetë? Ç’do të bënin me të? Asnjë nga ata nuk e kuptonte rolin përgjithësues të artit të shkruar, spontanitetin e zgjedhjes së emrave, emocionin që nuk kishte lidhje me emra konkretë

Ata kishin në sy vetëm Laze ballistin me fyell e pa fyell, për familjen e të cilit që në mbrëmje përgatisnin frontin më të vështirë të punës në kooperativë që ai të merrte sa më pak ditë pune.

Para tyre mësues Ismailit iu kujtua edhe një drejtor shkolle që kishte qenë edhe sekretar partie i një fshati. Kur i kishte kërkuar që të dërgonte nxënësit e tij në Pogradec, i kishte thënë:

- Po sikur të bjerë treni kur të kalojë te Ura e Bushtricës, kush do të mbajë përgjegjësi para partisë?

… Mbledhja vazhdoi rreth një orë. I erdhi radha edhe Zybejdesë që thoshte një për një fjalët e sekretar Zanit.

Të gjithë flisnin e mësuesi heshtte. Gazeta “Mësuesi” kalonte sa në një dorë në tjetrën.

- Dëgjo, more mësues i keq,- e nisi fjalë mbyllëse sekretari,- për këtë që ke bërë ty do të jepet paralajmërim për përjashtim nga puna. Do t’i shkruajmë edhe gazetës “Mësuesi “ për përgjegjësinë që kanë ata para partisë e që ti të mos botosh më. E dëgjon?

Kur doli nga ajo zyrë ku mund të hyje e të dilje vetëm duke kërrusur kokën, tek dera pa korrierin e fshatit. Po priste ndonjë lajmërim të ri?!… Do të kishte një fjalë të madhe që do t’ia thoshte jo vetën gruas së tij, por edhe të gjithë anëtarëve të partisë, para se t’ia thoshte sekretari.

Shokët kishin kohë që kishin ikur në shtëpi e rrugën dyorëshe duhet ta bënte vetëm. Jo, jo. Nuk ishte vetëm. Do të kishte në sy fytyrat e egërsuara të tre “gjykatësve” të poezisë së tij në atë gazetë të zhubrosur egërsisht, që ata e mbanin ende në tavolinën e lidhur me tel të kalbur. Sot ata kishin lexuar poezinë e parë , mbase edhe të fundit të jetës së tyre… NAmik Selmani

Plaku i mençur

Dikur në Bizbiq, një shtëpi e madhe, derë zemani, u kthye në depo ku grumbulloheshin lesh e lëkurë për ndërmarrjen e grumbullimeve të rrethit.

Me halle, por edhe me bela ishte se kishte goxha mall në të e në buzë të përroit me një anë e në anën tjetër sokakun. Ishte më lehtë për t’u vjedhur se sa për t’u ruajtur. Një roje, edhe pse ishte i armatosur, prapëseprapë në çdo kohë, veçanërisht me mot të keq, ishte në rrezik. Zgjidhnin e përzgjidhnin roje, i nderronin njëri pas tjetrit e derman nuk gjendej, se gjatë kontrolleve të befasishme natën i zinin në gjumë.

-Luto, ty do të vëmë roje në magazinën e Bizbiqit, - i komunikuan një ditë Luto Shelegut.

Të gjithë u habitën, por më shumë vetë ai. Ishte plak e pesë para njeri. Mendonte me vete, mos ishte ndonjë rreng, të ishte i besuar?! Prapëseprapë i qetë nuk rrinte se një hije dyshimi e brente nga brenda. Të thoshte jo e dinte që e “hante buba”, ndaj nuk e bëri dysh.

- Ju e dini,- iu përgjigj atyre të drejtorisë.

U tha, u bë. Në darkë, pa u errur mirë, mori bukën që e shoqja i kishte mbështjellë me shaminë e duarve, hodhi në krahë belçikun e u nis.

Ecte e me vete mendonte mos ia punonin si shokut paraardhës, Avdylit, që e gjetën duke fjetur me këmbë, i morën pushkën dhe u larguan pa i bërë zë.

E lanë të birin e botës për turp e faqe të zezë, aq sa për gati dy javë me radhë nuk doli nga shtëpia se i vinte zor nga njerëzit.

Priti ca ditë Lutua e mendja i punonte si do t’i “gostiste” ata të kontrollit se për gjumë as që mendohej se do t’i mbyllte ndonjëherë qepallat edhe sikur qeni qepën të hante.

Nga ana e përroit, duhej të niseshe, me bukë në trastë për t’u ngjitur se do të zvarriteshe këmbadorazi pa le sikur të të rrëshqiste këmba do të bëhej zallomahi. Më shumë mundësi kishte hyrja nga muri i sokakut. Si për dreq edhe sot e kësaj dite janë në këmbë, kjo shtëpi e ky mur. Në mos besofshi shkoni shihni në vend. Përkrah murit të sokakut, për nën të, lartësia arrin deri tre-katër metra. Drejtëpërdrejt nuk hidhesh dot pa bërë zhurmë, nga porta kryesore jo e jo. E vetmja rrugë hyrje mbetej zbritja nga muri nëpër trungun e fikut gjethegjerë ku jo një, por edhe dhjetë burra strehoheshin e mbroheshin nga kjo maskë natyrore.

E ndrydhi dhe e shtrydhi me të katër anët trurin, i shkreti Luto, deri sa i dha karar se kjo ishte e vetmja rrugë nëpër të cilën mund të hynin pa u diktuar ata të kontrollit gjatë natës.

Plaku mendjendrituri gjen ca dërrasa, i mbërthen me gozhdë e nga poshtë u ngul sërë-sërë mbi ndonja dyqind copë dhjeçe. Bën kështu një sofër me gjemba “iriqi” siç e quajti kur e pyetën më pas. Priste e priste me mendje top se një natë prej netësh do të dukeshin mysafirët, se nuk u rrihej pa bujtur e sidomos atij shpirt grymurit, që mendja i punonte veç për të liga.

Një natë shëndreu, në errësirën pus, qiellin e çau një vetëtimë e më pas një sqotë dëbore ia nisi shtruar, ndërkohë që të ftohtit të hynte në palcë. Edhe miu nuk gjente vrimë të futej, pa le njeriu, i ziu njeri ç’e zuri dhe se hoqi!

Ay nga mesi i natës dëgjova një bum e po prisja kur një zë therës, një ulërimë, më bën t’i gëzohem gjahut që e prisja në shteg më se një muaj natë për natë, pa vënë koqe gjumë në sy.

I pari, Fahriu, kryetari i grupit të kontrollit, u hodh nga muri, rrëshqiti nëpër trungun e fikut e u plandos mbi shtrojen e përgatitur për mik. Prapanica iu gozhdua e sa lëviste më thellë i nguleshin ato të uruara majucka. Barrmës së tij Lutua nuk i përgjigjej e priste të zbrisnin të tjerët, por asnjë prej tyre nuk po e merrte guximin.

Iu afrua me fener në dorë e me belçikun mbushur, po ç’të shoh, i ziu nëndrejtor ishte bërë meit, trokë në bythë e gjak kullonte.

- Kishte ngecur aq keq sa nuk mund t’ua rrëfej dot,- tregonte Lutua. Sa për mysafirin e natës, për vite me radhë t’ia kujtoje, të merrte zët, largohej e shante për shtatë topa. Nja dy javë ndenji me kura, me frikë në zemër se mos infektohej, por mirë thotë një fjalë e urtë “nuk bie rrufeja në hale”.

Fjala mori dhenë e më kontroll në Bizbiq nuk u duk kush, se nga frika e nga turpi vreshti nisi të ruhej për shumë kohë nga plaku i mençur.

Kanë kaluar vite, shumë vite, e sa herë bie fjala, në mjedise familjare e publike, kujtohen njerëz dhe bëma. Midis tyre me shumë humor mbetet edhe ndodhia e plakut me kokën sa një dardhë por plot mend që i bëri të vinin mend ata që mbaheshin se kishin një barrë mend. Ndaj ka mbetur fjala e urtë “kush mundohet t’i bëjë gropën tjetrit, bie vetë brenda”.

Namik Gjoni


Beratasit kanë shënuar zhgënjimin e radhës duke u mundur nga Pogradeci me rezultatin 2:0 duke provuar se janë në një krizë totale
Tomori, vazhdon variantin në vendnumëro

Tomori këtë javë udhëtoi për në Pogradec me një ekip disi të rinuar pa patur ndonjë motiv për të rikthyer ndonjë vlerë që ka lënë rrugës në këto javë të fazës së dytë. Ashtu sin ë shumë takime të tjera në transfertë, futbollistët beratas vetëm sa kanë respektuar kalendarin, pasi në lojën e tyre mungojnë shumë elementë, madje skuadra është xhveshur plotësisht nga grinta e sedra sportive. Sipas informacioneve të marra nga disa futbollistë që luajtën si titullarë në përballjen me liqenorët, mësohet se loja e skuadrës së Tomorit ka qënë mjaft apatike dhe pa asnjë fantazi që nga minuta e parë deri në ëprfundim. E nëse pogradecarët nuk kanë mundur të përsërisin pokerin e vlonjatëve dhe fierakëve, kjo për faktin që portiere i Tomorit dhe i ekipit kombëtar Shpresa Mario Bytyçi, si gjithmonë ka qënë në një formë të shkëlqyer. Beratasit u mundën me rezultatin 2:0 me nga një gol të pësuar për secilën pjesë loje dhe megjithse kanë patur disa raste nuk kanë qënë në gjëndje që të shënonin të paktën golin e nderit. Ajo bie në sy është fakti që në skuadrën e Tomorit edhe në këtë takim kanë munguar disa titullarë si kapiteni Dino, me të cilin nuk po kuptohet se çfarë po ndodh, lezhjani Lika i divorcuar prej javësh nga skuadra, “jabanxhinjtë” Dalipi dhe Lamnica, të cilët duket se kanë nisur pushimet ende pa përfunduar kampionati. Në këtë situatë Arbri i cili ka drejtuar skuadrën në këtë takim, për arsye se tekniku K. Mile ka munguar për probleme familjare, ka aktivizuar shumë lojtarë të rinj si Cufollari, Peshtanaku, Agalliu, Kuçi, P. Arbri, Shinko etj. të cilët sipas të dhënave janë prezantuar mjaft mirë pavarësisht humbjes. Ndihmëstraineri Theodhori Arbri është shprehur se djemtë e rinj u prezantuan mjaft mirë dhe se loja e tyre ishte e pëlqyeshme, për faktin që dhanë më të mirën e mundshme në një takim ku përballë kishin një skuadër që pretendon hyrjen në Ligën Superiore. “Në Pogradec skuadra dhë maksimumin dhe loja e saj kishte rritje krahasuar me takimet e fundit. Tashmë që na mungon motivi nuk ka arsye që të pretendojmë fitore, aq më shumë me skuadra që pretendojnë superligën, një ndër të cilët është dhe Pogradeci, i cili pas humbjes së Luftëtarit me Apolloninë, ka zgjuar oreksin për të marrë situatën në dorë. Kjo bëhet më evidente edhe për faktin që ndeshjen direkte me Luftëtarin Pogradeci e ka në shtëpi. Ne besoj se dhamë më të mirën dhe pavarësisht humbjes, gjej rastin të inkurajoj futbolistët e rinj për shpirtin egarës që treguan”, - thotë Arbri. Gjithsesi, pavarësisht humbjes së radhës, apo mbrojtjes që mundohen të bëjnë drejtuesit një gjë nuk mund të justifikohet: Tomori ka disa javë rresht që vetëm humbet dhe bën në vendnumëro duke bërë një figurë mjaft të keqe në komuniutetin sportiv. Është tjetër gjë të mundesh nga një kundërshtar e tjetër gjë të dorëzohesh pa nisur takimi. Tomori në këto javët e fundit është dorëzuar totalisht në të gjitha aspektet dhe mbi të gjitha është një skuadër që ka një krizë psikologjike gati patologjike.
Rushan Dosti

Urania

Grimca nga jeta sportive e akrobates

6-vjeçe ishte Urani Bega (Naska), nxënësja e shkollës “22 Tetori”, kur mori pjesë për herë të parë në ekipin e akrobatëve “Tomori” me trajner Bardhyl Sheme (Vasjari).

Urania ka meritë në 2 vende nderi që zuri ekipi “Tomori” në kampionatet kombëtare të akrobacisë në vitin 1968, kampione dhe më 1970 nënkampione. Në ushtrimet individuale, zuri vendin e parë, ndërsa në ushtrimin çift me akrobatin Romeo Vrahoriti, vendin e dytë.



Flamurtarja

Në manifestimet fizkulturore-sportive të nxënësve dhe në paradat që organizoheshin para tribunës, me rastin e ditës së 1 Majit dhe ditës së pionierëve, Urania kishte të njëjtin rol, atë të flamurtares. Kjo vinte jo vetëm se Urania ishte e shkathët dhe e zonja të qëndronte mbi motor, por edhe sepse kishte një konstrukt të mirë fizik.



Demostrime në rrugët e Përmetit

Sportdashësit përmetarë që ndoqën kampionatin e akrobacisë u kënaqën me nivelin e ekipit të “Tomorit”. Drejtuesit e jurisë për të kënaqur sportdashësit përmetarë, iu lutën akrobates beratase Uranisë, që t’i kënaqë sportdashësit duke demostruar numra akrobatike. Urania, ndonëse e lodhur, por e gëzuar nga suksesi në kampioant, gjatë gjithë rrugës, nga këndi i lojërave e deri te turizmi demostronte numra akrobatike, urë, flutur, salto, që përsëndeteshin nxehtësisht nga adhuruesit përmetarë që e shoqëronin.



Dhuratat kineze

Gjatë shfaqjes që dha trupa e akrobatëve në Tepelenë, ndoqi shfaqjen edhe një grup nga Kina. Ata u befasuan me gjimnasten guximtare, e cila në lartësi 10 m ekzekutonte ushtrime pa mjete sigurie.

Mbas shfaqjes ata u ngjitën në skenë përshëndetën grupin e akrobatëve dhe u dhuruan një shportë me punime artistike nga Kina dhe një kartolinë kineze.

Bizzëëë!

Në Konispol sportdashësit nuk u “ngopën” me 20 minuta program nga akrobatët e Beratit dhe filluan pas shfaqjes të bërtasin bizzë! Bizzë! Akrobatët!

Regjisori i shfaqjes Vangjel Myzeqari e trajneri Bardhyl Vasjari e morën në konsideratë kërkesën dhe trupa doli në skenë dhe demostroi për spektatorët edhe 20 minuta të tjera. Në fund të shfaqjes u dhuruan çorape, shamira, portokalle, bluza.

Unaza e Uranisë

Në takimin kombëtar të estradave profesioniste që u bë në Sarandë, trupa e Beratit meritoi flamurin e takimit. Në këtë arritje ndikoi edhe grupi i akrobatëve “Tomori”.

Ndër të tjera, grupi ndërtoi një tabllo me 5 akrobatë ku Urania pati një rol të vështirë. Rreth mesit të trupit të trajnerit Bardhyl, ajo formoi me trupin e saj një rreth që e quajtën unazë. Dhe që atëherë mbeti tabloja “Unaza e Uranisë”.
Koleksioneri sportiv

Është rast i vetëm që Berati të ketë një koleksioner sportiv si Vangjel Buda nga lagjja “10 Korriku”. Ndoshta mund të jetë edhe ndonjë tjetër, por unë nuk e di.

E njoh Vangjelin vite më parë si sportist dhe koleksioner sportiv. Gati çdo ditë e gjej në bibliotekën “Vexhi Buharaja” duke mbajtur mbi tavolina koleksione sportive e pranë tyre bllokun e shënimeve.

Për kureshtarët, përgjigjet e Vangjelit të pyetjeve të mia, do t’i bëjnë lexuesit që të njihet me jetën sportive të këtij koleksionisti.

Cili është fillimi juaj në sport?

Isha 6 vjeç kur shkova në stadiumin e ri “Tomori” në ditën e përurimit të tij më 1985. U rrëmbeva nga loja e fitorja e bukur e “Tomorit”, ndaj ekipit kombëtar 3-1.

Ky mendoj e besoj se ishte fillimi i rrugës sportive.Në shkollë dallohesha në vrapime dhe konkuroja në kampionatet e atletikës dhe të kroseve. Në vitin1993 zura vendin e dytë në maratonën e Beratit. U bëra sportdashës i zjarrtë. Ndiqja me kënaqësi ndeshjet e “Tomorit”, të ekipit kombëtar dhe kampionateve botërore dhe evropiane.

Çfarë koleksioni?

Në moshën 14-vjeçare fillova të koleksionoj dy gazetat, “Sporti shqiptar” dhe “Sporti ekspres”. Pastaj fillova me revistat “Futbolli” dhe me gazetën “Futbolli”. Krahas këtyre gazetave dhe revistave sportive, kam grumbulluar edhe statistika të ndryshme sprotive (kombëtare e ndërkombëtare për futbollin).



Qëllimi i studimit tuaj

Kam dy qëllime, së pari të zgjeroj horizontin njohës të futbollit dhe të kontribuoj nëpërmjet botimeve sportive që kam objektiv për t’i realizuar në të ardhme si:

-Yjet e futbollit botëror,

-Yjet e futbollit shqiptar dhe të “Tomorit”,

-Diktatorët e futbollit Duçe e Hitler,

-Të vazhdoj të shkruaj në gazetat sportive.



Çfarë dëshirë sportive keni?

Të punoj në një muze sporti, sigurisht më parë dua të theksoj, se një qytet i lashtë 2500 -vjeçar si Berati, duhet ta ketë pa tjetër një muze ku të ruajë dhe të pasqyrojë ashtu si në çdo fushë edhe vlerat sportive.

Më pëlqen të punoj për çeljen e fotoekspozitave të ndryshme sportive.

Të botoj në median sportive shkrime problematike, të organizoj konkurse sportive etj.



Vlash Pambuku
1   2   3   4


Verilənlər bazası müəlliflik hüququ ilə müdafiə olunur ©azrefs.org 2016
rəhbərliyinə müraciət

    Ana səhifə